Dy persona kanë përfunduar në pranga të policisë nën dyshimet për mashtrim, transmeton Fol Drejt.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE) ka ndërmarrë veprime hetimore disa mujore në zbulimin e personave të dyshuar të cilët përmes rrjetit social ‘’Tik Tok’’ kanë qarkulluar video se të njëjtit bëjnë shitjen e parave të falsifikuara.
Gjatë punës operativo – hetimore janë siguruar prova se të dyshuarit F.S. (1992), mashkull kosovar si dhe A.S. (1995), mashkull kosovar, janë marrë me veprimtari kriminale ku kanë mashtruar dhjetëra persona, kinse do t’u shesin para të falsifikuara, mirëpo në anën tjetër i kanë mashtruar këta persona duke përfituar nga ta shuma të konsiderueshme të mjeteve materiale.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rrjedhojë, sot, në orët e mëngjesit, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit F.S., ku njëkohësisht i dyshuari është arrestuar.
“Gjithashtu është arrestuar edhe personi i dyshuar A.S. për të cilin janë siguruar prova se ka bashkëpunuar me personin tjetër F.S.
Me aktvendim të Prokurorit të lëndës nga Prokuroria Themelore në Gjilan është iniciuar rasti ’Mashtrimi’ nga neni 323 i KPRK-së dhe dy të dyshuarit e lartcekur dërgohen në mbajtje për 48 orë.”, thuhet më tej në njoftimin e policisë, përcjell Fol Drejt.