Një oficere e sektorit të Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit është arrestuar me akuzën e vjedhjes në Kosovë. V. D., sipas Policisë, ka vjedhur një automjet në vendin fqinj dhe më pas e ka sjellë në Tiranë, ku e përdorte rregullisht, duke shmangur kontrollet me anë të përdorimit të dokumentit si punonjëse e Policisë.
Sipas të dhënave, V. D. prej disa vitesh ka qenë pjesë e strukturave të Policisë dhe rezulton se është përfshirë në vjedhje në disa qytete të Kosovës dhe së fundi ka kryer vjedhjen e një automjeti.
Efektivët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore kanë bërë arrestimin e saj, teksa përdorte edhe në rrugët e Tiranës automjetin e vjedhur në Kosovë. Burimet policore bëjnë me dije se mjetit i janë hequr targat kosovare, duke i vënë targa shqiptare të falsifikuara dhe më tej përdorej nga punonjësja e Operacionales.
Automjeti i vjedhur përdorej nga punonjësja e Policisë, ndërsa në momentin e arrestimit ajo ka qenë e shoqëruar me një person të afërm të saj, me inicialet E. D.
Sipas të dhënave, personat me të cilët ka bashkëpunuar punonjësja e Policisë prezantoheshin si strukturë e posaçme e Policisë së Shtetit, duke përdorur edhe mjetet e identifikimit dhe simbolet e Policisë së Shtetit.
Këtë teknikë dyshohet se ajo e ka përdorur edhe në hyrje të kufirit mes dy shteteve, duke u prezantuar si punonjës Policie në pikën e kalimit kufitar në Muriqan. Automjeti është sjellë në Tiranë dhe përdorej pikërisht nga punonjësja e Policisë.
Ndërsa pas koordinimit të informacionit mes dy policive është bërë edhe arrestimi i saj, duke e vënë nën akuzën e vjedhjes./FolDrejt/