Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e OSCE Mission in Kosovo dhe UN Kosovo Team, sot ka organizuar konferencë me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.
Përmes një video-mesazhi u adresua Ambasadori Michael Davenport – Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, me ç’rast tha se ani pse Kosova vazhdon të shënojë rezultate të larta në rajon sa i përket pluralizmit të mediave, rastet e kërcënimeve dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve vazhdojnë të jenë prezente, transmeton Fol Drejt.
“Ne shohim ende shumë raste kërcënimesh apo sulmesh kundër gazetarëve, duke përfshirë 11 incidente që nga fillimi i vitit 2022. Por kjo ditë mbi gjitha është një rast për të festuar punën e profesionistëve të guximshëm të medias në mbarë botën, si dhe rolin e një medie të lirë dhe të pavarur në konsolidimin e demokracisë dhe promovimin e një shoqërie më transparente dhe të hapur. Misioni i OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë këtë përpjekje të madhe këtu në Kosovë”, tha ai.
Në pjesën e parë të konferencës u prezantuan gjetjet e raportit “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2021”, që është hartuar nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj
Gjetjet e këtij raporti u diskutuan në mes të Kryetarit të Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv i KMShK-së, Yll Zekaj – Ekspert Ligjor i raportit, si dhe Abit Hoxha – Ekspert Nacional i raportit.
Sipas këtyre gjetjeve, gjendja e gazetarëve vazhdon të jetë e rënduar, si nga pandemia ashtu edhe nga ndryshimet politike, numri i sulmeve në drejtim të gazetarëve ka shënuar rritje, ndërsa vihet më në pah tendenca për heshtje të gazetarëve nëpërmjet padive SLAPP. Teksa, si rekomandime të raportit u theksua nevoja që gazetarët t’i raportojnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave të tyre, rëndësinë e pavarësisë financiare të RTK-së, pavarësinë e përzgjedhjes së bordeve të RTK-së dhe KPM-së, si dhe sa më parë të përfundoj Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave nga KGjK.
Gjithashtu, përmes një paneli diskutimi u adresua gjuha denigruese e përdorur në drejtim të gazetarëve dhe ndikimi i saj në besimin në medie. Paneli ishte i përbërë nga Doarsa Kica Xhelili – Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal, Leonard Kërquki – Drejtor i Gazetës Express, Rrezarta Delibashzade Krasniqi – Drejtore Ekzekutive në D4D dhe Granit Musliu – Anëtar i Komisionit të Pavarur të Medieve.
Në pjesën e dytë të konferencës aktualisht është duke u diskutuar mbrojtja dhe roli i gazetarëve gjatë raportimit nga zonat e konfliktit./FolDrejt/