Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, deklaroi se nëse Polonia dëshiron të dërgojë tanke gjermane “Leopard” në Ukrainë, vendi i saj nuk do të kundërshtojë.
Baerbock, e pyetur nga një gazetar i televizionit francez LCI se çfarë do të ndodhte nëse Polonia do të kërkonte t’i dorëzonte tanke “Leopard” Ukrainës, u përgjigj: “Kjo pyetje nuk është bërë për momentin, por nëse do të parashtrohej, ne nuk do të bëheshim pengesë”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Ndërkaq, kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka shkruar në Twitter: “Ne nuk do të mbetemi spektatorë të situatës në Ukrainë. Nëse nuk mund të arrijmë një marrëveshje me Gjermaninë për ‘Leopardët’, do të formojmë një koalicion më të vogël të vendeve që janë të gatshme për të dhuruar disa nga tanket e tyre moderne për Ukrainën, e cila gjendet në luftë”.
Mediat gjermane këtë deklaratë të ministres së Jashtme Baerbock e interpretuan si “ndezje e dritës jeshile që tanket ‘Leopard’ t’i jepen Ukrainës”.
Ministrat e Jashtëm të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë më herët i kanë bërë thirrje Gjermanisë që Ukrainës t’i dorëzohen tanke “Leopard”.
Tanket “Leopard” të prodhuara nga Gjermania gjenden në ushtritë e disa vendeve të BE-së dhe NATO-s, si Danimarka, Finlanda, Greqia, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Suedia, Spanja, Çekia, Türkiye dhe Hungaria.
Aktualisht, gjenden afërsisht 2.670 tanke “Leopard 2” në shërbim të ushtrive të ndryshme në mbarë botën. Me peshë rreth 64 tonë, tanket “Leopard” mund të arrijnë shpejtësi deri në 70 kilometra në orë dhe mund të godasin objektivat deri në 5 mijë metra.
Vende si Polonia dhe Finlanda janë deklaruar të gatshme të dërgojnë tanke “Leopard” në Ukrainë dhe presin miratimin e Berlinit.
Ligjërisht, transferimet e armëve të prodhimit gjerman te palët e treta duhet të miratohen nga qeveria e Berlinit./FolDrejt/