Ish-lojtari i Uellsit, Gareth Bale, i pensionuar së fundmi nga futbolli, do të marrë pjesë në një nga turnetë më prestigjioze të golfit në botë AT&T Pebble Beach Pro-Am në fillim të shkurtit në Kaliforni, njoftoi Bale të martën në rrjetet sociale.
“I ngazëllyer për të njoftuar se do të luaj në AT&T Pebble Beach Pro-Am në fillim të muajit të ardhshëm ”, shkroi në Instagram ish-sulmuesi i Tottenham, Real Madrid dhe Los Angeles FC.
Bale, i cili më 9 janar njoftoi përfundimin e menjëhershëm të karrierës së tij të futbollit profesionist në moshën 33-vjeçare, do të luajë në fushë me personazhe të tjerë të famshëm përkrah disa prej lojtarëve më të mirë në botë.
Mes 156 amatorëve të rreshtuar në Pebble Beach, Bale do të marrë pjesë me aktorin Bill Murray.
Uellsiani, i cili mori pjesë në Kupën e Botës në fund të vitit 2022 në Katar, nuk e ka fshehur kurrë dashurinë e tij për golfin, gjë që i shkaktoi shumë kritika në Madrid ku tifozët e Realit e akuzuan se preferonte golfin në vend të futbollit. /FolDrejt/