Bashkimi Evropian duhet të sigurojë që largimi me forcë i fëmijëve ukrainas në Rusi të mos kalojë pa u ndëshkuar dhe të bëjë gjithçka për t’i kthyer këta fëmijë te prindërit e tyre, u theksua sot në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.
Anëtarët e Parlamentit Evropian diskutuan largimin me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi nga territoret e okupuara ukrainase, për këtë arsye Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren për fëmijët e qeverisë ruse, Maria Lvova-Belova, përcjell Fol Drejt.
“Është detyrimi ynë moral të bëjmë gjithçka për t’i kthyer këta fëmijë te prindërit e tyre. Urdhëresat e lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare janë një hap i rëndësishëm drejt mosndëshkimit të këtyre krimeve,” tha Zëvendëskryetarja e Komisionit për Vlerat dhe Transparencë Vera Jourova. .
Komuniteti ndërkombëtar duhet të përdorë gjithçka për të kthyer fëmijët e mërguar
Ministrja suedeze për Çështjet Evropiane Jessika Roswall, e cila foli në emër të presidencës së rradhës të Këshillit të BE-së, vuri në dukje se të gjitha shtetet anëtare kanë detyrimin për të ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara.
Mesazhi unik nga diskutimi është se komuniteti ndërkombëtar duhet të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të gjetur, identifikuar dhe kthyer këta fëmijë te prindërit e tyre dhe të sigurojë që krimet e luftës të mos mbeten pa u ndëshkuar.
Autoritetet ukrainase thonë se më shumë se 16,000 fëmijë ukrainas janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ku shumë prej tyre janë vendosur në shtëpitë e fëmijëve. Në varësi të burimeve, këto shifra ndryshojnë dhe në disa vende flitet për mbi 20 mijë fëmijë. Moska i mohon pretendimet dhe thotë se ka shpëtuar fëmijët ukrainas duke i nxjerrë ata nga zona e konfliktit dhe duke përgatitur një plan për kthimin e tyre te familjet e tyre.
Më 17 mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi një urdhër-arresti për presidentin rus Vladimir Putin me dyshimin se ishte përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të të miturve ukrainas nga territoret e pushtuara në Ukrainë në Rusi. Gjykata me seli në Hagë lëshoi gjithashtu një urdhër arresti ndërkombëtar për Maria Lvova-Belova, Komisionerja Ruse për Fëmijët, për të njëjtat arsye./FolDrejt/