Bisedimet midis ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian përfunduan me një deklaratë të përbashkët, që thotë se blloku do të përpiqet të ndalojë fluksin e madh të refugjatëve nga Afganistani, duke rritur kontrollin në kufij dhe duke ofruar ndihmë.
Deklarata e BE-së shmang premtimet për pranimin e azilkërkuesve.
Mijëra afganë janë larguar ose duan të largohen nga Afganistani, prejse militantët talibanë kanë marrë kontrollin e këtij vendi, më 15 gusht.
Ministrat po ashtu thanë se blloku do të preferonte të punonte me fqinjët më të afërt të Afganistanit, në përpjekje “për të forcuar kapacitetet e tyre për të siguruar mbrojtje dhe pritje dinjitoze për refugjatët”.
Shumë afganë i kanë të freskëta kujtimet e ndëshkimeve të ashpra nga ajo kohë, ekzekutimet masive publike, ndalimin e shkollimit të vajzave e të tjera.
BE-ja tha se mbështetja për afganët mund të sigurohet “në formën e zhvendosjes në baza vullnetare”, duke u dhënë përparësi personave të cenueshëm, siç janë gratë dhe fëmijët.
Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, tha se nuk pret që një numër i madh refugjatësh nga Afganistani të arrijnë në Evropë, nëse atyre që ikin nga vendi u sigurohet ndihmë.