Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është shprehur se janë afër vendimit që të kërkojnë kthimin e forcave serbe në Kosovë, meqë sipas saj KFOR-i nuk po e bën punën e vet.
“Çdo ditë shkelet jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe marrëveshja e Kumanovës. Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet. Serbët nuk ndihen të sigurt, dhe janë të kërcënuar si fizikisht ashtu edhe për jetën, përfshirë kopshtet e fëmijëve”, është shprehur Bërnabiq siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
“Është politika e shekujve 18 dhe 19. Ajo ngjall ndjenja dëshpërimi. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar dhe ishte e vështirë të flija natën e kaluar”, tha ajo.
“Në BE nuk reagojnë ndaj asaj që po ndodh, ose reagojnë kur digjet deri në kockë. KFOR-i dhe EULEX-i nuk po e bëjnë punën e tyre, jo vetëm në përputhje me marrëveshjen e Brukselit por edhe me marrëveshjen e Kumanovës. Ata nuk i mbrojnë serbët në Kosovë as në jug e as në veri të lumit Ibër”, ka shtuar ajo./FolDrejt/