Biblioteka e qytetit ”Kongresi i Manastirit” në Klinë e cila funksionon në kuadër të Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Klubit të Karrierës “Luigj Gurakuqi” – “Dhuro një libër shqip” duke dhuruar 246 ekzemplarë librash për hapjen e bibliotekës shqipe në Manastir.
“Duke e përgëzuar dhe duartrokitur studenten Emira Selimi për nismën madhështore urojmë në hapjen sa me të shpejtë të kësaj biblioteke sepse qytetit të Manastirit ia kemi borgj”, u shpreh drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport e këtij qyteti, Fatjona Gashi, përcjell Fol Drejt.
Gashi përmes një postimi në Facebook tha se edhe emri të cilin përmban kjo bibliotekë e bën edhe më të afërt këtë iniciativë.
“Biblioteka e qytetit tonë rastis edhe me emrin e madh historik “Kongresi i Manastirit” andaj sot jam e lumtur që bashkë me drejtorin e bibliotekës z.Mujë Gashi, i dhuruam këto libra për qytetin e shenjtë të shkronjave shqipe, Manastir”, u shpreh ajo./FolDrejt/