Presidenti amerikan, Joe Biden ka reaguar për vendimin për burgim të përjetshëm për kriminelin serb të luftës, Ratko Mlladiq.
Në një deklaratë të lëshuar nga ai përmes Shtëpisë së Bardhë, thuhet se ky verdikt, tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi, shkruan lajmi.net, përcjell FolDrejt.com.
“Pothuajse 26 vjet më parë, Ratko Mlladiq urdhëroi ekzekutimin e rreth 8,000 burrave dhe djemve të paarmatosur në Srebrenicë. Ai gjithashtu udhëhoqi një rrethim brutal shumë-vjeçar të Sarajevës dhe ishte përgjegjës për shumë krime të tjera. Mekanizmi Ndërkombëtar i Apelit i Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale në Hagë konfirmoi sot dënimin e tij për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ky verdikt historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai vendim gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’i parandaluar mizoritë e ardhshme kudo në botë”, tha Biden.
Ndryshe, Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë ka dhënë vendimin përfundimtar për ish-shefin e ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i cili kishte apeluar dënimin për gjenocid ndaj tij.