Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka uruar presidentin shqiptar, Bajram Begajn dhe popullin shqiptar, me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, derisa ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për Shqipërinë në përpjekjen e saj për anëtarësim në BE.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa fillojmë shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, pres me padurim të thellojmë partneritetin tonë edhe më tej, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike”, ka thënë Biden në mesazhin e tij.
“Si aleatë të NATO-s, vendet tona kanë bashkëpunuar gjithashtu për ta mbajtur aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Dhe përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi punuar së bashku në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur popullin ukrainas, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për agresionin. Shqipëria vazhdon të jetë një lider humanitar, duke siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve dhe grupeve të tjera”, ka thënë ai tutje./FolDrejt/