Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden të martën përmes telefonit ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putin gjatë së cilës diskutuan për disa çështje midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Midis tyre kanë qenë sulmet kibernetike SolarWinds dhe raportet se Moska vendosi shpërblesa mbi kokën e ushtarëve amerikanë në Afganistan, sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, e cila ngjalli zemërim në Capitol Hill kundër Moskës.
Biden dhe Putin “diskutuan gatishmërinë e të dyja vendeve për të zgjatur New START për 5 vjet, duke rënë dakord që ekipet e tyre të punojnë urgjentisht për të përfunduar zgjatjen deri më 5 shkurt”, thuhet në njoftim, duke iu referuar Marrëveshjes së Re të Reduktimit të Armëve Strategjike.
Biden, sipas njoftimit, po ashtu “ngriti çështje tjera shqetësuese, përfshirë sulmin e SolarWinds, raportet e Rusisë duke vendosur shpërblesa mbi kokën e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-ve dhe helmimin e (kritikut të Kremlinit) Aleksey Navalny”.
Gjatë telefonatës, Biden thuhet se i tha Putinit se Washingtoni do të mbrojë interesat e tij si përgjigje të veprimeve të Moskës “që dëmtojnë ne ose aleatët tanë”.
“Të dy presidentët u dakorduan që të mbajnë një komunikim transparent dhe të qëndrueshëm duke shkuar përpara”, thekson njoftimi.
Të dy udhëheqësit po ashtu u dakorduan të eksplorojnë diskutimet mbi kontrollin e armëve dhe çështjet e sigurisë dhe Biden riafirmoi mbështetjen e SHBA-ve për sovranitetin e Ukrainës.