Vizita dy ditore në Holandë e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u karakterizua me një takim e bisedë të hapur me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, ambasadorë, shefa misionesh e diplomatë të ambasadave të shteteve nga rajoni, Evropa e më gjerë, në Holandë.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi foli për historinë e suksesit të Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë njohu rritje ekonomike dyshifrore në 2021 si dhe rritje rreth 4% në vitin 2022. Sa i përket vitit 2023, 3.9% ishte rritja e regjistruar në çerekun e parë të vitit. Rritja e shpejtë ekonomike dhe ndër më të lartat në rajon si dhe konstantja e parashikimeve për vazhdimin e kësaj trajektoreje janë tregues të suksesit të Kosovës dhe potencialit për të ardhmen, përcjell Fol Drejt.
“Rritja duhet të njohë dhe qëndrueshmëri në vazhdimësi por edhe të garantojë gjithëpërfshirjen dhe ndarjen e barabartë.
Përtej krizave të përballuara si ajo e pandemisë dhe krizës energjetike, vendi ynë ka performuar lartësisht ekonomikisht duke patur rezultat pozitiv dhe në mbajtjen e borxhit publik në nivel të ulët dhe treguar maturitet në politikat fiskale. Kjo u vlerësua dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Kosova u bë shteti i parë përfitues në Evropë i instrumentit e programit të tyre më të ri financues në muajin prill të këtij viti.
Kosova ka dëshmuar se përtej barrierave mund të performojë dhe më lartë se vendet e rajonit, duke treguar se potenciali është tejet i madh dhe mund të zbulohet dhe më tej. Me liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024 dhe aplikimin tonë për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, hapet rruga për përshpejtim dhe rritje të intensitetit të rrugëtimit tonë evropian.
Progresi historik i arritur reflektuar dhe në raportin për vendin të Komisionit Evropian, ku ndër të tjera tregohet se nuk ka regres në asnjë fushë, është dëshmi e maturitetit, përgatitjes dhe gatishmërisë për të bërë vetëm hapa përpara dhe shkuar në një nivel tjetër të rrugëtimit tone evropian. Dëshmi tjetër janë dhe rankimet pozitive dhe rritja në pozicione e Kosovës në indekset e matjet ndërkombëtare. Marrja e pyetësorit është e rëndësishme për ne, dhe avancimi tutje në përmbushjen e objektivit tonë për anëtarësimin në familjen evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e javës së ardhshme të nivelit të lartë. Ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive, aktive e me plot ide në proces, e angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike e cila duhet të zbatohet në plotni, pa vonesa e kushtëzime dhe përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e të barabartë.
Takimi u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Holandë. Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi pjesëmarrësit për bisedën dhe takimin e frytshëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media./FolDrejt/