Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës u zotuan të zbatojnë marrëveshjen e 4 shtatorit për normalizim ekonomik të arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia.
E njëjta deklaratë, mes Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të SHBA-së dhe Kosovës, u nënshkrua të hënën nga Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës u bë edhe hapja simbolike e zyrës së Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit së SHBA-së në Beograd.
Kryeshefi i DFC-së, Adam Boehler në një konferencë për media tha se hapja e zyrës së kësaj Korporate në Beograd shënon një “epokë të re” në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, duke shtuar se kjo Korporatë planifikon të investojë miliona dollarë në projekte të ndryshme, të cilat tani janë në proces të vlerësimit.
Duke folur për marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator, Boehler tha se kjo marrëveshje është një reflektim, se rajoni duhet të shikojë kah e ardhmja.
“Marrëveshja që është nënshkruar në Uashington më 4 shtator nuk është vetëm historike, po reflektim që rajoni nuk do të jetë i mbërthyer në të kaluarën, por do të shikojë kah e ardhmja. Zyra e DFC-së (në Beograd) tregon interesimin tonë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të këtij rajoni”, tha ai.