Kompania amerikane e teknologjisë Apple njoftoi sot se do të përditësojë softuerin e iPhone 12 në Francë, në përputhje me kërkesën e autoriteteve franceze që ndaluan përkohësisht shitjen e tij për shkak të niveleve të tepërta të rrezatimit.
“Ne do të përditësojmë softuerin e përdoruesve francezë dhe do të përshtatemi me protokollin e përdorur nga rregullatorët francezë. Mezi presim që iPhone 12 të vazhdojë të jetë i disponueshëm në Francë,” tha Apple.
“(Përditësimi) lidhet me protokollin e testimit të përdorur nga rregullatorët francezë, jo një çështje sigurie”, thuhet në deklaratë. Rregullatori francez i rrjetit ANFR do të testojë softuerin e përditësuar në një afat të shkurtër, tha në një deklaratë Sekretari i Shtetit për Çështjet Dixhitale Jean Noel Barrot, duke theksuar se përditësimi përfundimisht do të sjellë iPhone 12 në përputhje me standardet evropiane, të cilat janë në fuqi në Francë.
Apple mori një afat prej dy javësh
ANFR njoftoi Apple të mërkurën se kishte ndaluar shitjen e iPhone 12 pasi testet treguan se shkalla e absorbimit të rrezatimit (SAR) ishte pak mbi kufirin ligjor. Ata shtuan se rezultatet do t’ua përcjellin rregullatorëve në vendet e tjera të BE-së.
Për të rregulluar problemin, mjafton të përditësoni softuerin, tha Barrot në një intervistë me Le Parisien të botuar të martën, duke vënë në dukje se Apple ka një afat prej dy javësh. Rregullatorët e tjerë evropianë po ndjekin gjithashtu nga afër procedurën franceze, ndaj rregullatori holandez njoftoi të mërkurën se po kontrollon problemin e rrezatimit të mundshëm të tepërt të iPhone 12.
Rregullatori gjerman theksoi se procedura e Francës mund të shërbejë si një model për Evropën në tërësi dhe Sekretari belg i Shtetit për Digjitalizimin njoftoi një analizë të rreziqeve të mundshme shëndetësore që lidhen me telefonin celular të Apple. Ministria italiane e Industrisë ka bërë të ditur se po monitoron situatën, por për momentin nuk ka ndërmend të marrë asnjë masë, po ashtu situatën po monitoron edhe Portugalia./FolDrejt/