39 persona nga Kamenica janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 17, ndërkaq sot do të ritestohen edhe 11 persona për të parë nëse janë shëruar nga koronavirusi. Nga komuna e Kamenicës kanë treguar për Express se momentalisht nuk ka testime të reja
11 persona nga komuna e Kamenicës do t’i nënshtrohen ritestimit për të parë nëse janë shëruar nga virusi COVID-19.
Këtë e ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti.
“Dje i kemi pranuar rezultatet e testimeve të reja, kanë dalë negative të gjitha. Sot nuk kemi testime të reja, vetëm ritestime. 11 persona do të ritestohen për të parë nëse janë shëruar”, ka thënë Rashiti.
Deri më tani në komunën e Kamenicës janë konfirmuar 39 persona me virusin COVID-19.
Nga ta janë shëruar tashmë 17 persona, e në mesin e tyre janë edhe një foshnje, dy gra shtatzëna dhe një i moshuar që kishte pasur edhe probleme tjera shëndetësore.
Derisa të kryhen të gjitha ritestimet, në Kamenicë mbesin ende 22 raste aktive me koronavirus.
Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 860.
Nga ta janë shëruar tashmë 533, ndërkaq kanë vdekur 27 persona.
Rasti i fundit i vdekjes u shënua mëngjesin e sotëm, ku në Klinikën Infektive të QKUK’së vdiq një 63-vjeçare nga Dragashi.
E ndjera ishte e infektuar me COVID-19, por gjithashtu kishte edhe sëmundje të tjera.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Klinika Infektive përmes një njoftimi për media.
“Në orët e mëngjesit ka ndërruar jetë pacientja e lindur me 1957 nga komuna e Dragashit, e cila veç infeksionit me COVID-19, ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.