William Saliba (22-vjeçar) ishte një nga lojtarët më të mirë të Arsenalit sezonin e kaluar.
Francezi luajti në 33 ndeshje në të gjitha garat, në të cilat u vendos si lider i linjës mbrojtëse. Për shkak të një dëmtimi në shpinë, Saliba ka humbur fundin e sezonit, ndërsa ende nuk dihet se kur do të kthehet në fushë.
Daily Mail shkruan se Saliba ka tronditur këto ditë menaxherin Mikel Arteta dhe drejtuesit e Arsenalit me pakënaqësinë e tij. Saliba aktualisht fiton rreth 50,000 euro në javë dhe Arsenali dëshironte të trefishonte pagën e tij. Anglezët pretendojnë se Saliba nuk është i kënaqur me atë ofertë dhe se klubi dhe lojtari nuk janë afër marrëveshjes.
Problem për Arsenalin është përfshirja e mundshme e klubit të PSG-së, i cili do të përmbushë pa problem dëshirat financiare të Saliba-s. Nga ana tjetër, Arsenali nuk dëshiron të rrezikojë dhe tani klubi po përgatit një ofertë të re. Saliba ka ende një kontratë nga viti 2019, kur mbërriti si adoleshent në Arsenal për 30 milionë euro, transmeton Fol Drejt.