Danimarka ka ndaluar imunizimin me vaksinën AstraZeneca-Oxford kundër koronavirusit.
Vendimi pason shqetësimet për efektin anësor të mpiksjes së gjakut. Zyrtarët thanë se 2.4 milionë dozat që posedon vendi, do të tërhiqen deri në një njoftim të ri.
Autoritetet shëndetësore kanë thënë se në bazë të studimeve, një në 40.000 njerëz është prekur nga mpiksja e gjakut.
Danimarka është vendi i parë evropian që e ndalon plotësisht përdorimin e kësaj vaksine.
Agjencia Evropiane e Barnave javën e kaluar njoftoi për një lidhje të mundshme me mpiksjen e gjakut që shkaktohet nga kjo vaksinë. Por, megjithatë agjencia tha se rreziku për vdekje nga sëmundja COVID-19 është shumë më i madh.
AstraZeneca por edhe kompania Johnson & Johnson kanë thënë se efektet anësore të mpiksjes së gjakut janë jashtëzakonisht të rralla.