Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë sot homazhe para lapidarit për personat e pagjetur në Prishtinë, raporton Gazeta Express.
Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës Arbërie Nagavci dhe deputetët Liburn Aliu, Saranda Bogujevci dhe Hekuran Murati, kanë bërë homazhe para lapidarit për personat e pagjetur në Prishtinë, në nderim të ditës së 27 Prillit – Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook, shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi.
“Ende janë edhe 1641 persona të zhdukur. Familjarët e tyre meritojnë të dinë për fatin e tyre, kurse shoqëria jonë nuk mund të jetë asnjëherë e qetë pa u zbardhur të gjitha rastet e të pagjeturëve. Në një ditë si kjo, duhet ta ritheksojmë se familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët duhet të gjykohen. Nuk mund të ketë pajtim pa drejtësi. Nuk mund të ketë drejtësi me amnisti. Jo amnisti, por drejtësi”, ka shkruar ai.