Sot, Parlamenti i Serbisë votoi qeverinë e re serbe, nën udhëheqjen e Ana Bërnabiq.
Ndaj formimit të kësaj qeverie ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtar në facebook, e ka cilësuar këtë qeveri si vazhdimësi të Serbisë problematike, transmeton Fol Drejt.
“Në Beograd, sot u zgjodh Qeveria e re. Qeveria e vazhdimësisë, siç u quajt.
Në bazë të ekspozesë së kryeministres së re (vjetër) Ana Bërnabiq, prioritetet e qverisë mbeten të njëjta.
Shefi i qeverisë mbetet i njëjtë.” – është shprehur Kamberi.
Sipas Kamberit, Serbia, me qeverinë e saj të vazhdimësisë, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor.
“Vazhdimësi në lojën me dy karrige, pa ide të qartë për integrimin evropian, me tendencë të refuzimit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së.
Vazhdimësi në mohimin e realitetit rreth Kosovës dhe tendencave të prolongimit të marrëveshjes finale.
Vazhdimësi në ambiciet për “Botën serbe”.
Vazhdimësi në mohimin e përgjesësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme.
Vazhdimësi në glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mbrojtjes së muraleve të tyre në rrugët e Beogradit.
Vazhdimësi në diskriminimin e pakicave.
Vazhdimësi me logjikën autoritariste të presidentit “shteti jam unë”.” – ka shtuar Kamberi./FolDrejt/