Kina i ka dërguar notë proteste Japonisë për vendimin e saj për lëshimin e ujërave të zeza radioaktive nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi në oqean nga 24 gushti, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës thuhet se zv/ministri Sun Weidong ftoi në ministri ambasadorin japonez në Pekin, Tarumi Hide, lidhur me këtë çështje.
Sun tha se protestuan ndaj vendimit të Japonisë, duke e quajtur atë egoist dhe të papërgjegjshëm. Ai theksoi se me këtë vendim Japonia vë interesat e veta përpara shqetësimeve të vendeve fqinje.
Sun paralajmëroi se Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur ekologjinë detare, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Në një komunikatë për media nga ambasada japoneze thuhet se ambasadori Tarumi tha se gjatë takimit qeveria e tij ka shpjeguar në mënyrë transparente planin e shkarkimin të ujërave të zeza dhe se pretendimet e Kinës për këtë çështje nuk kanë bazë shkencore.
Cunami i shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 9 ballë të Rihterit në mars të vitit 2011 dëmtoi tre nga katër reaktorët bërthamorë në termocentralin bërthamor Fukushima Daiichi, kurse zona rreth uzinës u shpall “zonë evakuimi” për shkak të rrjedhjeve radioaktive.