Një rast i rëndë ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku mbeten të plagosura dy femra kosovare, ndërsa i dyshuari ishte arratisur e më vonë u raportua që ka ndërruar jetë.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për këtë rast, duke treguar se i dyshuari për plagosjen e dy femrave kosovare ka shtënë në drejtim të policisë dhe në shkëmbim e sipër të zjarrit ai e ka goditur veten në barkë me armë zjarri, transmeton Fol Drejt.
“Rr. Besa Besë, Fushë Kosovë 28.01.2023 – 11:42. Është raportuar se dy viktimat femra kosovare për shkaqe ende të panjohura janë qëlluar dhe plagosur me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar i cili gjendej në arrati. Viktimat për tretman mjekësor janë dërguar në QKUK. Më vonë është pranuar informata për vendndodhjen e të dyshuarit ku zyrtarët policorë e kanë urdhëruar të dyshuarin që të dorëzohet, mirëpo i njëjti ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë i dyshuari dyshohet se ka qëlluar veten dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore si dhe është njoftuar Inspektorati Policor. Të gjitha veprimet e nevojshme hetimore janë duke u marrë në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në raportin e policisë, përcjell Fol Drejt.