Shkruan Gëzim Olluri – Fol Drejt
Biblioteka e qytetit të Gjilanit është duke u shndërruar në bibliotekë moderne me të gjitha kushtet e nevojshme për nxënësit, lexuesit dhe studentët. Së fundi është arritur edhe digjitalizimi dhe është lehtësuar puna e gjithë bibliotekës dhe huazimit të librave, shkruan Fol Drejt.
Biblioteka e Gjilanit përveç fondit të pasur librar dhe historikut të saj, tashmë e ka arritur edhe digjitalizimin. Procesi i plan-projektit për digjitalizim ka filluar në muajin maj të vitit 2021 dhe ka përfunduar në dhjetor të këtij viti falë punës kolektive dhe nën udhëheqjen e drejtorit të bibliotekës, Qazim Azizit. Digjitalizimi është planifikuar kohë më parë, mirëpo konretisht është financuar këtë vit nga Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin.
Sipas drejtorit të bibliotekës, Qazim Azizit, me digjitalizimin e bibliotekës është lehtësuar vetëidentifikimi dhe regjistrimi i lexuesve. “Tashmë me leximin e barkodit përmes mënyrës elektronike është lehtësuar vetëidentifikimi dhe regjistrimi lexuesve. Gjithashtu, kur huazojmë libra për lexuesit dhe kur kthehen në bibliotekë, puna është bërë shumë më e lehtë. Edhe moduli i pasurimit, klasifikimit dhe katalogimit të literaturës është lehtësuar tejmase”, thotë Azizi për Fol Drejt.
Biblioteka e qytetit të Gjilanit ka një histori e rrugëtim përplot sfida që nga themelimi i saj. Më 30 gusht të vitit 1938 filloi veprimtaria për tempullin e dijes dhe gradualisht po bëhet ikonë e Gjilanit. Rrugëtimi i saj përgjatë kohërave ka qenë i vështirë shkaku i rrethanave, masave të dhunshme serbe dhe luftës gjenocidale nga Serbia në vitet 1998-1999. Pasluftës biblioteka është funksionalizuar e aktualisht është shndërruar në bibliotekë moderne.
Në vitin 2017 është ndërtuar objekti ri dhe është emërtuar: Biblioteka e Qytetit “Fan S Noli”. Biblioteka kapë një hapësirë prej 3 mijë e 600 metra katror dhe mund të sistemohen deri në 400 lexues. Sipas të dhënave në shkrimin e Azizit, nga viti 2017 numri i vizitorëve brenda vitit në bibliotekë shkon deri në 40 mijë lexues.
Kujtojmë që në vitin 1990 kishte filluar të krijohej aparateidi shtypës e masat e represionit serb. Sikurse edhe në zonat e tjera të Kosovës, edhe biblioteka e Gjilanit dhe bibliotekat e tjera nëpër fshatra gjilanase u mbyllën e u dogjën nga forcat serbe. Fillimisht u përjashtuan punonjësit e bibliotekave e lexuesit shqiptarë. Më pas u asgjësuan librat shqip e bibliotekat u mbyllën.
Sipas fakteve nga Komuna e Gjilanit, nga viti 1990 janë mbyllur katër biblioteka. Ajo e Dobërçanit, Malishevës, Cërnicës dhe Shurdhanit, ndërsa në kohën e luftës 1998-1999, janë djegur katër biblioteka: Biblioteka e Dobërçanit, Shurdhanit, Cërnicës dhe në Llashticë. Në Bibliotekën kryesore të qytetit janë zhdukur rreth dy mijë libra, kurse nëpër fshatra janë djegur rreth 64 mijë libra në gjuhën shqipe.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021, aktualisht biblioteka e Gjilanit ka 106 mijë e 521 libra në ambientin kryesor të qytetit. Ndërsa, sipas të burimeve nga Biblioteka e Gjilanit në shtatë biblioteka të tjera që konsiderohen degë të saj, janë në fond mbi 80 mijë libra./FolDrejt/