Predrag Pantiq, që është i biri i policit të arrestuar Dejan Pantiq, si i dyshuar për organizimin e sulmit terrorist në zyrat e KKZ-së në pjesën veriore të Kosovës është shprehur para protestuesve në veri duke thënë se i ati i tij është arrestuar vetëm pse është serb.
“Është fajtor vetëm pse është serb. Populli në babanë tim e pa veten. Panë se nesër në vend të tij mund të jenë ata, fëmijët e tyre apo prindërit e tyre. Prandaj, sikurse në vitet e kaluara, dalja në barrikada është opsioni i fundit me shpresën për të ndalur dëbimin politik të serbëve në këtë zonë”, ka thënë Pantiq.
“Nuk kemi asnjë dëshmi e as sqarim pse është arrestuar një i pafajshëm. Ata i shkelin të gjitha të drejtat e tij si i burgosur. Ne s’kemi asnjë kontakt me të, as e kemi parë e as kemi dëgjuar nga ai. Ata flasin se ai i ka të gjitha të drejtat dhe se është mirë. Por unë i pyes: pse s’i lejohet babait tim një thirrje të na thotë vetë se është mirë? Pse mbrojtësve tanë nuk u lejohet ta vizitojnë?, ka shtuar tutje./FolDrejt/