Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Edona Maloku Bërdyna ka njoftuar se ka dje ka dhënë dorëheqje nga posti i saj si zëvendësministre, transmeton Fol Drejt.
Maloku-Bërdyna njoftoi se takimin përshëndetës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e zhvilluan në frymë pozitive.
“Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si Zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time Kryeministrit Kurti.
Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falenderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. “, ka shkruar Maloku-Bërdyna.
“Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare.
U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim.
Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë.”, ka shkruar Maloku-Bërdyna më të në një postim në profilin e saj zyrtar në Facebook./FolDrejt/