Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë, Millovan Drecun, ka vlerësuar sot se autoritetet e Prishtinës po përgatisin terrenin për vazhdimin e përshkallëzimit të situatës në Kosovë dhe se qëllimi përfundimtar është kinse që serbët të mos vazhdojnë të mbijetojnë në atë zonë, përkatësisht të përfundojnë spastrimin e tyre etnik.
Drecun tha për TV Pink se nuk do të ketë deeskalim të plotë të situatës për shkak të politikës së institucioneve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe se fakti që aktualisht nuk ka arrestime të reja intensive në Kosovë nuk do të thotë se nuk do të ketë në të ardhmen.
“Po përgatitet terreni për përshkallëzimin e mëtejmë, nuk shoh se janë fare të gatshëm të bëjnë ndonjë lëvizje… Kurti nuk duhet të pritet të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, nuk duhet të presim që ai të tërheqë plotësisht pjesëtarët e njësive speciale parapolicore nga veriu, as të ndalojë arrestimin e serbëve, sepse ai krijoi kushtet që të gjitha këto të vazhdojnë”, tha Drecun.