Reshjet e shiut në Kosovë kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi në disa qytete, e ndër to e prekur nga reshjet ka mbetur edhe komuna e Drenasit.
Siç ka njoftuar vetë kjo komunë, reshjet e dendura kanë vështirësuar qarkullimin, teksa në disa zona gjendja është përkeqësuar.
Në njoftimin e komunës bëhet me dije se disa rrugë, sidomos mbi ura dhe të rrethi në dalje të qytetit janë bërë vështirë të kalueshme, ndaj u është kërkuar qytetarëve të kenë kujdes dhe t’i evitojnë zonat me rrezik qarkullimi.
“Ekipet Emergjente janë në terren, dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë përmes kompanisë së kontraktuar, është duke bërë debllokimin e kanalizimeve, aty ku është bllokuar.
Kryetari i Komunës së Drenasi, Ramiz Lladrovci, u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë dhe t’i shmangen rreziqeve në rrugët ku vërshimet janë me të dendura. Lladrovci ka kërkuar që qytetarët të kenë mirëkuptim e bashkëpunim, për të tejkaluar gjendjen e krijuar nga të reshurat e dendura të shiut.
Me shpresën që kjo gjendje të tejkalohet, Komuna e Drenasit falënderon qytetarët për mirëkuptim!”, thuhet më tej në njoftimin e komunës./FolDrejt/