Mëngjesi konsiderohet si një nga vaktet më të rëndësishme nga dietologët dhe nutricionistët. Por si e hanë mëngjesin njerëzit nëpër botë, si dallon ngrënia në kultura e popuj të ndryshëm ua sjell Fol Drejt.
Zvicra
Gjatë ditëve të javës, zviceranët konsumojnë një mëngjes të shpejtë. Të shpejtë por jo “fast food”, por tërshërë me fruta të thata dhe kos. Megjithatë, në fundjavë, ata zgjedhin të hanë një mëngjes më të plotë dhe tavolina e tyre mbushet me djathëra, petulla me patate, vezë, si dhe brioshë të mbushur me mjaltë, gjalpë dhe reçel.
Etiopia
Në Etiopi është një pjatë e veçantë e quajtur “Genfo”. Kjo pjatë është e ngjashme me qullin. Përgatitet me drithëra të ndryshme, miell elbi dhe ujë të vluar, derisa formohet një brumë i trashë. Më pas, “Genfo” serviret e shoqëruar me gjalpë të kulluar, erëza dhe kos.
Tunizia
“Lablabi”, një supë me qiqra dhe erëza është pjata kryesore e mëngjesit në Tunizi. Kjo pjatë vjen herë e shoqëruar me copa buke, herë me limon të shtrydhur, kremoze me kos ose e mbushur me ullinj. Pra, ka pafund mënyra për ta shijuar këtë supë të veçantë.
Japonia
Një nga mëngjeset më të pasura, konsiderohet mëngjesi japonez. Pjatat që konsumohen në këtë vakt mund të serviren në çdo orë të ditës. Japonezët zgjedhin të hanë me porcione të vogla, por të shumta dhe të ndryshme. Peshq të tillë si salmoni ose skumbri, supa miso, perime turshi, orizi dhe omëleta e ëmbël, janë të gjitha pjesë e pjatës së mëngjesit.
Islanda
Përbërësi kryesor i mëngjesit islandez është vaji i mëlçisë së merlucit, një burim i acideve yndyrore Omega-3. Gjithashtu, “hafragrautur”, një tas i mbushur me tërshërë, arra, rrushë të thatë, ajkë qumështi dhe djathë i freskët, është zgjedhja e shumë islandezëve për të nisur ditën, transmeton Fol Drejt.
Italia
Italia shquhet për gatimet e saj unike në të gjithë botën, mirëpo kur bëhet fjalë për mëngjesin, italianët zgjedhin diçka të shpejtë. Një briosh i mbushur me krem ose çokollatë, si dhe kafe apo kapuçino përbëjnë mëngjes standard në Itali.
Xhamajka
Gjella tradicionale e njohur si “Ackee” me peshk është pjesa më e veçantë e mëngjesit në Xhamajka. Ackee është një frut delikat i ëmbël në formë dardhe, kaurdiset me merluc, domate, hudhër, spec djegës dhe qepë. Është një gërshetim kështu të ëmblat, të kripurat dhe pikantet, tipike e një vendi ekzotik si Xhamajka.
Tajvani
Jo një gotë qumësht i zakonshëm si pjesë e një mëngjesi të ekuilibruar, por në Tajvan qumështi i freskët i sojës nuk mungon kurrë. Ky qumësht shoqërohet gjithmonë me petulla ose me peta të skuqura me qepë, si dhe me perime nga më të ndryshmet.
Rusia
Mëngjesi tipik rus përbëhet nga havjari i kuq apo i zi, i shoqëruar me një krep apo petulla të vogla, por vetëm gjatë fundjavave. Ndërsa gjatë ditëve të javës, mëngjeset janë më të thjeshta; bukë thekre e ëmbël me gjalpë. Por, gjëja më e rëndësishme, që nuk mungon kurrë në një mëngjes rus, është çaji i zi.
SHBA
Petulla me çokollatë ose me gjalpë, është një mëngjes klasik amerikan. Aty kombinohen gjithmonë shijet e kripura dhe të ëmbla. Përveç petullave, nuk mungojnë as boronicat e freskëta, qumështi dhe shurupe të ëmbla.
Turqia
Për turqit mëngjesi është vakti më i rëndësishëm si dhe më i bollshmi. Sofra turke është gjithmonë përplot me pjata të kripura dhe të ëmbla. Buka e njohur si “simit”, një bukë rrethore me fara; djathëra; ullinj; perime të freskëta; patate të pjekura; sallame; hallvë; mjaltë dhe reçelra të ndryshme. Mëngjesi turk është i përbërë edhe nga disa gatime mjaft të veçanta, siç janë vezët e gatuara me feta suxhuku dhe erëza pikante. /FolDrejt/