Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, ka thënë se nuk do të dëshironte që Kombëtarja kuqezi të bjerë në një grup me Kombëtaren motër, Kosovën, në shortin e sotëm të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.
Kosova dhe Shqipëria do t’i mësojnë pas pak kundërshtarët e tyre në Ligën C – nivelin e tretë të Ligës së Kombeve – në edicionin e dytë të garës më të re të UEFA-s, duke e ditur se fati mund të dojë që ato të jenë në të njëjtin grup.
Shefi i futbollit shqiptar nuk dëshiron që kjo të ndodhë, pasi parapëlqen kombëtare të tjera, duke thënë se me dardanët nuk ka ndonjë përvojë që mund të shkëmbehet.
“Nuk e dua Kosovën (në grup) sepse nuk kemi shumë përvoja për t’i shkëmbyer”, tha Duka i pyetur nëse dëshiron që Kosova t’i bjerë Shqipërisë në grup.
Ai shtoi: “Shqiptarët mund të kenë dy herë emocione kur luan Shqipëria dhe Kosova”.
Kosova e fitoi Grupin 3 në Ligën D në edicionin inaugurues të kësaj gare dhe në edicionin e dytë do të luajë në Ligën C, aty ku Shqipëria mbijetoi për pak.