Afro 100 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur vendin e punës në periudhën shkurt-dhjetor të vitit 2020, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia.
Por në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike është përcaktuar ndarja e 300 eurove për tre muaj, që i bie 900 euro për punëtorin që humbi vendin e punës në sektorin privat.
Edhe pse Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ka kohë që është votuar, këto mjete nuk kanë kaluar në llogaritë e afro 40 mijë punëtorëve që mund të jenë përfitues të këtyre mjeteve.
Së fundi nga Zyra për Informim e ministrisë përkatëse kanë deklaruar se ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka formuar Grupin Ndërministror për përcaktimin e kritereve dhe përgatitjen e planit operacional për zbatimin e Masës 16.
“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditë obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas vendimit të Qeverisë, të datës 18 shkurt 2021”, u tha tutje në përgjigje.
Ndërkohë u shtua se këto kritere do të përfshihen në draftvendimin që do të dërgohet në Qeveri për aprovim.
Ndërsa kohë më parë nga Sindikata e Punëtorëve në Sektorin Privat kanë deklaruar se janë mijëra punëtorë të sektorit privat që humbën vendin e punës përgjatë përballjes me pandeminë e shkaktuar nga virusi COVID-19.