Tetë vajza adoleshente që besohet se janë takuar në rrjetet sociale janë akuzuar për vrasje të shkallës së dytë në vdekjen me thikë të një 59-vjeçari në qendër të Torontos.
Policia thotë se vajzat sulmuan dhe goditën me thikë një burrë në një shesh pranë stacionit kryesor të trenit në qytetin më të madh të Kanadasë herët në mëngjesin e së dielës. Tri vajza janë 13, tri 14 dhe dy 16 vjeçare, tha policia të martën.
Policia nuk e ka dhënë emrin e viktimës, por duke folur në një konferencë shtypi, detektivi Terry Browne i njësisë së vrasjeve të Torontos tha se burri ishte zhvendosur së fundmi në sistemin e strehimit të pastrehëve të qytetit.
“Ai kishte shumë mbështetje familjare, kështu që nuk do ta quaja domosdoshmërisht të pastrehë, por për shkak të situatës së tij aktuale të vështirë të jetës, ai përfundoi në rrugë”, tha Browne.
Ai theksoi se oficerët e policisë iu përgjigjën një thirrjeje në qendër të qytetit rreth mesnatës së 18 dhjetorit, pasi kalimtarët telefonuan 911 për një burrë që ishte therur me thikë.
Policia thotë se vajzat besohet se kanë sulmuar dhe goditur me thikë viktimën pas një debati. Burri është dërguar me urgjencë në spital me plagë të rënda, por ka ndërruar jetë menjëherë.
Policia menjëherë ka arrestuar vajzat dhe në vendngjarje ka gjetur një sërë armësh, shkruan Guardian, transmeton Fol Drejt.