Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot nga presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll.
Pas takimit mes tyre, Kurti dhe Erdogan dolën në një konferencë për media.
Para mediave, presidenti turk, Erdogan, shprehu mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se pret që palët të demonstrojnë një qasje paqësore dhe konstruktive.
“Ne i kushtojmë rëndësi madhorë zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore të Kosovës. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore dhe konstruktive”, ka thënë Erdogan.
“Shpresojmë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme që të ofrojë çdo ndihmë në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të japë kontributin e nevojshëm nëse kjo kërkohet nga palët”.
“Do të vazhdojmë të ndërmarrin hapa për të fortifikuar marrëdhëniet vëllazërore me një Kosovë të begatshme e cila do të ishte garanci e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, ka shtuar ai./FolDrejt/