Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij dhe SHBA-të po i afrohen një epoke të re të lidhjeve për trajtimin e situatës në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për transmetuesin kombëtar TRT, menjëherë pas një telefonate me homologun e tij amerikan, Donald Trump, presidenti Erdoğan tha se një epokë e re mund të fillojë në marrëdhëniet bilaterale mbi procesin e tranzicionit në Libi.
Ai po ashtu theksoi se Turqia qëndron pranë qeverisë libiane, të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), kundër puçistit Khalifa Haftar dhe atyre që e mbështesin atë.
Duke iu referuar fitime strategjike në fushën e betejës nga ushtria libiane, duke rimarrë zonat e kontrolluara nga Haftar, Erdoğan tha se Haftar do të përjashtohet nga çdo zgjidhje politike në Libi.
Presidenti turk po ashtu tha se do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, për pretendimet e Rusisë se nuk ka asnjë ushtar në Libi.
Pas rrëzimit të sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB u themelua qeveria e re e Libisë.
Qeveria dhe pjesët perëndimore të vendit janë sulmuar nga forcat e Haftar-it që nga prilli i vitit 2019, duke shkaktuar mbi 1 mijë të vrarë.
Trajtimi i pandemisë COVID-19
Mbi koronavirusin e ri (COVID-19), shpërthimi i të cilës me sa duket po pakësohet në Turqi, presidenti Erdoğan tha se është i kënaqur me mënyrën se si vendi i tij trajtoi virusin, duke shtuar se ka rreth 60 mijë porosi për respiratorët e brendshëm të Turqisë.
Ai tha se Turqia ishte e përgatitur mirë, mësoi nga gabimet e vendeve të tjera dhe për këtë arsye rriti prodhimin e pajisjeve mjekësore.
Erdoğan po ashtu tha se qeveria u sigurua se nuk do të ketë rritje të çmimeve apo grumbullim të pajisjeve mjekësore.