Politikani Faton Bislimi ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e LDK-së.
Dorëheqjen e ka bërë të ditur pikërisht ai përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ai ka shprehur pakënaqësitë e tij me lidershipin e LDK-së, kryesisht me kryetarin Abdixhiku.
“Po ju shkruaj për t’ju njoftuar me vendimin tim për të dhënë dorëheqje nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, efektivisht nga sot. Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit”, ka thënë ndër të tjera ai në letrën e dorëheqjes.
“Fatkeqësisht, kjo LDK që unë zgjedh dhe e dua – sepse besoj fuqishëm që i shërben vendit e kombit – vetëm sa po tkurret konceptualisht nën çasjen e kreut të tanishëm. Sikur shumë të tjerë, edhe unë personalisht kam qenë shpresëplot në këtë lidership; nuk e mohoj. Jam përpjekur të bëj punën time, kam shpreh shqetësimet në forumet e partisë (qoftë edhe në rastet e rralla që një mundësi e tillë na është dhënë). Moskonsiderata e personalizimi i skajshëm i udhëheqjes së partisë ka vazhduar. Jo më! Jo me mua, të paktën!”, ka vazhduar tutje Bislimi, transmeton Fol Drejt.