Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka nisur procedurat disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Ekuadorit pas ndeshjes së parë të Kupës së Botës në Katar.
Organizata botërore e futbollit vendosi të ndërmarrë këtë hap për shkak se tifozët e këtij shteti të Amerikës së Jugut kënduan këngë ofenduese dhe homofobike gjatë ndeshjes hapëse me nikoqirin Katar.
Në njoftimin e FIFA-s thuhet se procedura është nisur në përputhje me nenin 13 të Rregullores disiplinore, e cila dënon “fyerjen e dinjitetit apo integritetit të një shteti, personi apo grupi duke përdorur fjalë armiqësore, diskriminuese dhe fyese”.
Mediat britanike kujtojnë se kjo është procedura e parë disiplinore e nisur nga FIFA që nga fillimi i Kupës së Botës në Katar.
Ekuadori luajti në hapjen e Botërorit ndaj Katarit nikoqir dhe festoi me rezultat 2:0, ndërsa në fazën e grupeve pritet të luajë kundër Senegalit dhe Holandës./FolDrejt/