Mijëra forca japoneze dhe amerikane, përfshirë ato nga kontingjenti hapësinor, filluan sot stërvitjet e përbashkëta ushtarake në Japoni.
Stërvitjet ushtarake, të quajtura “Shpata e mprehtë”, do të përfshijnë 26 mijë pjesëtarë nga forcat tokësore, detare dhe ajrore japoneze, së bashku me rreth 10 mijë ushtarë amerikanë, përfshirë edhe ata të Forcave Hapësinore të SHBA-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministria e Mbrojtjes së Japonisë njoftoi se stërvitjet e përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë, të cilat mbahen çdo dy vjet, do të zhvillohen kryesisht rreth ishujve jugperëndimorë të vendit, përfshirë ishullin Tokunoshima, në provincën jugperëndimore të Kagoshimas “në përpjekje për të rritur aftësinë e tyre operacionale në zonë”.
Stërvitja ushtarake po mbahet “duke pasur parasysh aktivitetet ushtarake në rritje të Kinës”, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio.
Rreth 30 anije dhe 370 avionë nga Japonia dhe SHBA-ja po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake. Katër anije luftarake dhe dy avionë nga Australia, Kanadaja dhe Britania e Madhe do t’u bashkohen stërvitjeve.
SHBA-ja ka rritur aktivitetet e saj ushtarake në rajonin më të gjerë të Azisë-Paqësorit, së bashku me aleatët e saj në të kaluarën e afërt, ndërsa Koreja e Veriut vazhdon të lëshon dhjetëra raketa, përfshirë ato balistike dhe ato ndërkontinentale.
Stërvitjet e fundit ushtarake midis Japonisë dhe SHBA-së pritet të përfundojnë më 19 nëntor.
Midis Japonisë dhe SHBA-së ka një pakt sigurie, sipas së cilës rreth 50 mijë ushtarë amerikanë janë vendosur në Japoni.
Të dy vendet janë pjesë e një grupi të sigurisë ‘Quad’ të udhëhequr nga Washingtoni, i cili synon të kontrollojë ndikimin në rritje të Kinës në rajon.
“Stërvitjet kanë për qëllim forcimin e aftësive të parandalimit dhe reagimit të Forcave Japoneze të Vetëmbrojtjes dhe forcave amerikane në përballje me situata të papritura, pasi ato kundërshtojnë çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar ‘status quo’-në me forcë”, tha ministria japoneze.
Stërvitjet do të përfshijnë përgjigje ndaj raketave balistike si dhe operacione në zona të reja të mbrojtjes si hapësira e jashtme dhe hapësira kibernetike, shtoi ministria./FolDrejt/