Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto tha se luftimet midis trupave ukrainase dhe ruse pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia përbëjnë një “koncept shumë të frikshëm”.
Reagimi i Haavisto erdhi teksa ai mbërriti në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel ku do të diskutohet konflikti Rusi-Ukrainë.
Haavisto tha gjithashtu se rreziku për civilët në qytetet ukrainase ishte një shqetësim i madh pasi konflikti me Rusinë po intensifikohet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ruse në Ukrainë po synojnë kompleksin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në jug të vendit.
“Për momentin, tanket ruse po bombardojnë njësitë e reaktorit”, tha Zelensky në orët e para të së premtes në një video të postuar në kanalin e tij Telegram.
“Elektrocentrali më i madh bërthamor në Evropë është në zjarr”, tha Zelensky.
“Ka tanke të pajisura me kamera termike. Kjo do të thotë se ata e dinë se ku po gjuajnë, ata janë përgatitur për këtë”, theksoi ai.
Sidoqoftë, nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur deklaratat e tij./ATSh/