Po vijojnë reagimet pas aktit të përkujtimit të Luftës së Parë Botërore, përkatësisht nderimi që iu bë disa ushtarëve të rënë serbë gjatë kësaj lufte nga ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë më 11 nëntor të këtij viti, shkruan Fol Drejt.
Në këtë ceremoni veç ambasadorëve të Francës e Gjermanisë, ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ndërsa ajo u përcoll edhe nga trupat e Gardës së Nderit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).
Për këtë të fundit kanë filluar të artikulohen thirrje për dorëheqje, ndërsa për ambasadorët thirrje për kërkim-falje.
Aktivisti dhe studiuesi Shkëlzen Gashi iu është adresuar ambasadave të Francës e Gjermanisë me disa reagime, nëpërmjet të cilave argumenton krimet dhe gjenocidin që serbët e kanë kryer pas 1912-tës ndaj popullit shqiptar të Kosovës:
“Leo Freundlich “Golgota e Shqipërisë: aktakuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar 1912-1913” [Indictment of the Exterminators of the Albanian People]:
“Gratë e fëmijët i lidhën për mullarë të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të burrave të tyre. 3.000 shqiptarë janë masakruar në rajonin ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit… 5.000 mijë afër Prishtinës… 5.000 tjerë afër Prizrenit… Mbi 1.200 të vrarë në Ferizaj… Në disa katunde, shpive ua vunë flakën dhe mandej banorët i vranë si qentë sapo u përpoqën t’i shpëtojnë zjarrit””- ka shkruar Gashi përpara 15 orëve.
Ndërsa sot para një ore, duke i apostrofuar ambasadat përsëri, ka shkruar:
“Më 22 tetor 1912, ditën kur u pushtua Prishtina, Radničke Novine botoi tekstin e maposhtëm si letër të nji ushtari:
«I dashuni mik, nuk kam kohë me të shkruejtë gjatë, por mundem me të thanë se gjana të tutshme janë tue ndodhë këtu. Tmerrohem prej tyne dhe vazhdimisht pyetem si munden me qenë njerëzit aq barbarë sa me i ba këto krime. Asht tmerr. Nuk guxoj (edhe me pasë kohën që s’e kam) me të thanë tjetër, por mundem me të dëftue se Luma ma nuk ekziston. S’ka mbetë gja veç të vdekunve, pluhunit, hinit. Ka katunde me nga 100, 150 e 200 shpi, ku nuk ka mbetë asnji njeri, hiç astenji i vetëm. I tubojmë nga katërdhetë a pesëdhetë veta, e mandej i bajonetojmë deri kur bjen edhe i mbrami i tyne. Shkatërrime ka gjithkah. Oficerët po u thonë ushtarëve me shkue në Prizren dhe me i shitë gjasendet e vjedhuna».
Redaktori i Radničke Novine shtoi «Miqtë tanë na tregojnë për gjana tejet ma të mnershme sesa këto, por janë aq të lemerishme e tronditëse sa kemi parapëlqye mos me i botue».”
Jusuf Thaçi, një emër tjetër i njohur për opinionin publik kosovar, po ashtu e ka cilësuar aktin si të pafalshëm, e për më tepër, si fyerje për viktimat:
“Nuk ka uniformë serbe (ushtri, xhandarmëri, polici, milici, paramilitarë, etj.) gjatë shekullit 20 që të kenë kaluar a qëndruar në Kosovë e të mos kenë bërë krime ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Prandaj, çdo nderim që u bëhet të tillëve nga institucionet e Kosovës është e pafalshme, sepse përbën fyerje për viktimat dhe amnisti për krimet e kriminelët.”
Një veteran lufte i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e ka cilësuar si skandalin më të madh të një ministri, që nga themelimi i shtetit tonë.
Reagimet po vijojnë edhe sot, ndërsa mediat janë mbushur me tituj ku cilësori “skandal”, “akt i turpshëm” etj, janë përdorur dendur. Vlen të thuhet se nga Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht nga Ministri Xhelal Sveçla, nuk ka pasur ndonjë reagim.
Ua kujtojmë se më 11 nëntor 2022 Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe Ambasada e Francës në Prishtinë, organizuan në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës një ceremoni për 104 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Garda Ceremoniale e FSK-së, e cila qëndroi gatitu pranë pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë sërbë në vitet 1912-1918. Për më keq, në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, z. Sveçla./FolDrejt/