Në artikullin e tij të fundit, korrespondenti i vjetër i Taz (Die Tageszeitung) Erich Rathfelder pyet nëse politikat e SHBA dhe Bashkimit Evropian po mbështesin forcat antidemokratike në Ballkan dhe po krijojnë një potencial të rrezikshëm për konflikt.
Mendimi i Rathfelder është se strategjia aktuale e Perëndimit në Ballkan po përmbyset. SHBA dhe Bashkimi Evropian, nga njëra anë, mbështesin luftën e ukrainasve për vlerat perëndimore, dhe nga ana tjetër, ata pranojnë pozicione etno-nacionaliste në Ballkan, duke shpresuar të kufizojnë ndikimin e Moskës.
“Për një kohë të gjatë, strategjia perëndimore ishte demokratizimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe futja e tyre në komunitetin e vlerave të Bashkimit Evropian. Sipas disa kritikëve amerikanë, kjo është braktisur”, shkruan gazeta, duke cituar mendimin e politologut Janusz Bugajski, i cili vlerëson se këto nuk luajnë më asnjë rol.
“SHBA-ja në fakt dëshiron ta ndajë Ballkanin në tre zona ndikimi: serbe, kroate dhe shqiptare”, shkruan gazeta.
Sipas Bugajskit, SHBA dhe BE tani po përpiqen për një marrëveshje me forcat etno-nacionaliste në Ballkan dhe po braktisin qëndrimet e tyre të mëparshme pro-perëndimore dhe demokratike. Në lidhje me luftën në Ukrainë, në Uashington shpresojnë ta tërheqin presidentin autokrat të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në anën e Perëndimit.
“SHBA dhe BE thjesht e pranuan faktin se në Mal të Zi pas zgjedhjeve të fundit janë forcuar forcat pro-serbe dhe për rrjedhojë pro-Putin. Në Bosnje dhe Hercegovinë, rezistenca ndaj Milorad Dodik, i cili shpesh vepron hapur si mik i Putinit, është dobësuar”, thuhet në artikull. /FolDrejt/