Agjencia e lajmeve Reuters tha se gazetari i saj, Danish Siddiqui, është vrarë duke mbuluar një përleshje midis forcave afgane të sigurisë dhe militantëve talibanë, pranë një vendkalimi kufitar me Pakistanin.
Bashkë me të u vra edhe një oficer i lartë afgan.
Sulmi ndodhi pranë një tregu në qarkun Spin Boldak.
Siddiqui po përcillte forcat afgane që nga fillimi i kësaj jave në provincën jugore të Kandaharit.
Siddiqui ishte pjesë e ekipit fotografik të Reuters-it, që fitoi Çmimin Pulitzer në vitin 2018 me fotografinë që dokumentonte krizën e refugjatëve Rohingya, në Mianmar.
Siddiqui ka punuar për agjencinë e lajmeve Reuters qysh në vitin 2010.
Ai, mes tjerash, ka mbuluar luftërat në Afganistan dhe Irak, krizën e refugjatëve Rohingya, protestat e Hong Kongut dhe tërmetet në Nepal.