Pasdita e djeshme ishte mjaftë e rëndë për gjithë vendin, por më së shumti për Ferizajin.
42 persona pësuan lëndime trupore si pasojë e një shpërthimi të bombolës së gazit në një prej restoranteve të këtij qyteti.
13 nga qytetarët e plagosur u transferuan menjëherë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa nga Klinika Intensive e QKUK-së sot bënë të ditur se pesë nga këta pacientë janë në gjendje më të rënduar shëndetësore.
“Në Klinikën e Intensivit Qendror janë duke u trajtuar pesë prej tyre që kanë qenë në gjendje më të rëndë dhe një prej tyre është i sistemuar në klinikën e kardiokirurgjisë, pra janë gjashtë prej të lënduarve. Gjendja shëndetësore e pacientëve për momentin pretendohet me qenë stabile edhe pse me këtë shkallë të djegies këta pacientë hyjnë në radhën e atyre pacientëve që janë të rrezikuar”, tha Uka.
Drejtori Uka tregoi edhe djegiet e sipërfaqes së trupit të këtyre pacientëve është nga 35 deri në 50 përqind.
Por gjashtë nga personat që morën lëndime të rënda trupore pritet që shpejtë të nisen për në Turqi.
Kryetari i Ferizajit Agim Aliu bëri të ditur se tashmë këshilli mjekësor ka miratuar vendimin që gjashtë pacientë të lënduar më rëndë të transferohen për në Turqi.
“Tashmë dokumentacioni është proceduar me urgjencë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nëse shkon gjithçka në rregull, sonte ose nesër parashihet të bëhet udhëtimi”, tha Aliu.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu deklaroi poashtu se moshat e personave të cilët u plagosën si pasojë e shpërthimit janë nga pesë deri në 71 vjeç.
Gjatë ditës së djeshme Aliu ka vizituar nga afër personat e lënduar nga ky shpërthim, derisa uroj që të njëjtit të shërohen sa më shpejtë.
Pas shpërthimit të djeshëm pati deklarime të shumta nga emrat e njohur të vendit, ku ndër të tjerash u theksua se duhet të shikohet mirë se si erdhi deri tek ky shpërthim, e që brenda disa javëve pati dy të ngjashme në territorin e Kosovës.