Në Gjermani është zbuluar një shpatë prej bronzi e bërë më shumë se 3000 vjet më parë, e cila është ruajtur aq mirë sa “pothuajse shkëlqen”, njoftoi Zyra Shtetërore e Bavarisë për Ruajtjen e Monumenteve Historike.
Deklarata thoshte se shpata, që besohet se daton nga mesi i epokës së bronzit deri në fund të shekullit të 14-të para Krishtit, u gjet gjatë gërmimeve javën e kaluar në Nordlingen, një qytet i vendosur midis Nurembergut dhe Shtutgartit në Gjermaninë jugore, raportoi Associated Press.
Shpata ka një dorezë të fortë tetëkëndëshe dhe është gjetur në një varr ku ishin varrosur tre persona, së bashku me objekte të tjera prej bronzi dhe nuk është e qartë nëse të tre personat ishin të lidhur, sipas raportit./FolDrejt/