Presidenti amerikan Trump është duke u përpjekur të nxisë një laborator gjerman për të zhvilluar një vaksinë ekskluzivisht për SHBA-të, ka raportuar një gazetë gjermane.
Megjithatë më vonë, kompania hodhi poshtë pretendimet për shitjen e saj ose të teknologjisë së saj.
Qeveritë e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë një betejë mbi kompaninë gjermane CureVac, e cila po punon në krijimin e një vaksine për koronavirusin e ri, raportoi gazeta gjermane Welt am Sontag.
Gazeta e shquar gjermane raportoi duke cituar burime anonime, se Presidenti i SHBA-së Donald Trump, po ofronte shumë të mëdha parash për shkencëtarët gjermanë, që po punonin në zbulimin e vaksinës Ai dëshironte të sigurojë të drejta ekskluzive për punën e tyre, raportoi gazeta.
Sidoqoftë në një komunikatë për shtypin të dielën, kompania hodhi poshtë “çdo pretendim për një shitje të mundshme të kompanisë ose teknologjisë së saj”.
Gazeta Welt am Sontag kishte cituar një burim anonym të qeverisë gjermane, që thoshte se Trump po bëntë cmos për të siguruar një vaksinë për Shtetet e Bashkuara, “por vetëm për SHBA”.
Vaksina “për të gjithë botën”
Të dielën kreu i investitorit më të madh të CureVac tha që një kontratë ekskluzive me SHBA-në nuk vinte në konsideratë.
“Duam të zhvillojmë një vaksinë për të gjithë botën dhe jo për vende të caktuara,” tha shefi ekzekutiv i dievini Hopp Bio Tech Holding, Christof Hettich për gazetën Mannheimer Morgen, duke i bërë kështu jehonë një deklarate të ngjashme me atë që kompania lëshoi në komunikatën për shtyp.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn deklaroi për televizionin publik gjerman se dorëzimi i kompanisë nuk ishte në planet e tyre dhe se ministria “kishte pasur bisedime të frytshme me kompaninë gjatë dy javëve të fundit”.
Ministri i Brendshëm Horst Seehofer u shpreh se çështja do të diskutohej në komitetin e sapoformuar të qeverisë gjermane mbi krizat, ndërsa ministri i Ekonomisë Peter Altmaier tha për televizionin publik gjerman se “Gjermania nuk është në shitje.”
Kompania ndodhet në qytetin gjerman jug-perëndimor të Tübingen dhe punon me Institutin Paul Ehrlich, i lidhur me Ministrinë Gjermane të Shëndetësisë. Ajo gjithashtu ka nga një degë në Frankfurt dhe në qytetin amerikan të Bostonit.
Kompania shpreson të ketë një vaksinë eksperimentale të përfunduar deri në qershor ose korrik dhe më pas të marrë miratimin dhe testimin e saj në njerëz.
Hulumtimi për disa vaksina të mundshme tashmë kishte filluar dhe dy më premtuesit do të zgjidheshin për testet klinike I tha Reutersit të premten, bashkëthemeluesi dhe drejtori kryesor I prodhimit, Florian von der Mülbe.
Takim me Trump
Të shtunën, Trump rezultoi negative në testin për koronavirusin, pas ekspozimit potencial ndaj tij në disa raste.
Shpërthimi I COVID-19, i cili filloi në Kinë është përhapur në të gjithë globin me më shumë se 156, 000 raste të konfirmuar dhe 5.800 vdekje.
Më shumë se 70,000 njerëz janë shëruar nga virusi, i cili për shumicën e njerëzve paraqitet si një sëmundje e butë deri në mesatare, por mund të shndërrohet në gjendje serioze për disa të tjerë.
Më 2 mars, ish-drejtori I përgjithshëm i CureVac, Daniel Menichella mori pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me Trump dhe anëtarët e tij të taskforcës mbi koronavirusin për zhvillimin e vaksinës.
Më 11 mars, kompania njoftoi se Menichella do të zëvendësohej nga themeluesi I kompanisë, Ingmar Hoerr, pa specifikuar arsyen.