Qeveria gjermane ka miratuar një “kornizë bazë” për legjislacionin që do t’i lejojë të rriturit të blejnë, posedojnë dhe konsumojnë kanabis.
“Korniza bazë” e miratuar nga qeveria gjermane përcakton udhëzimet e projektligjit për legalizimin e kanabisit. Sipas kornizës së lartpërmendur, kanabisi dhe përbërësi aktiv tetrahidrokanabinol (THC) nuk do të klasifikohen më ligjërisht si lëndë narkotike, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Blerja dhe posedimi e deri në 30 gram “kanabis rekreativ” nuk do të jetë më e ndëshkueshme, kultivimi privat në shtëpi do të lejohet në një shkallë të kufizuar dhe shitja për të rriturit do të bëhet në “dyqane të licencuara” dhe farmaci.
“Kanabisi nuk do të jetë më pjesë e ligjit të narkotikëve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach duke shtuar se legalizimi i kanabisit do të bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Duke theksuar se ai është vetë mjek dhe ka kundërshtuar lejimin e kanabisit në të kaluarën, Lauterbach tha se qëndrimi i tij ka ndryshuar në dritën e ngjarjeve të fundit.
“Duam të licencojmë dhe rregullojmë prodhimin në Gjermani”, tha Lauterbach duke shtuar se qëllimi është të rregullohet tregu.
Ai shtoi se nuk e kanë marrë Holandën si shembull, ku shitja dhe përdorimi i kanabisit është shumë i lirë. “Do të përgatisim një projektligj që do të jetë shembull për vendet e tjera”, tha ministri Lauterbach./FolDrejt/