Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar kështu masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it Millun Milenkoviq-Llune.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimin për Drejtësi’, Mirlinda Gashi, zëdhënëse për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, transmeton Fol Drejt.
“I pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, Milenkovic-Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprës penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës Dejan Pantiq.
Po ashtu Milenkovic-Llune dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtit edhe në kryerjen e veprave tjera penale.