Autoritetet greke po hetojnë pretendimet se Eva Kaili, deputetja greke e Parlamentit Evropian (PE) e arrestuar në një hetim për korrupsion dhe pastrim parash në Belgjikë, ka llogari me një shumë të madhe parash në një bankë në Panama.
Mediat greke pretendojnë se Institucioni Grek Kundër Pastrimit të Parave ka vendosur në qendër të vëmendjes jo vetëm aktivitetet ekonomike të Kaili-t, por edhe të familjarëve të afërm të saj, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në lajmet në mediat greke thuhet se institucioni ka kontaktuar me autoritetet panameze dhe ka kërkuar zbardhjen e pretendimeve se Kaili dhe të afërmit e saj kanë llogari me gjithsej 30 milion euro në bankën në Panama.
Po ashtu në lajm thuhet se Mihalis Dimitrakopulos, avokati i Kaili-t në Greqi, ka mohuar këto pretendime.
– Pretendimet për korrupsion dhe ryshfet
Në hetimin e nisur nga autoritetet belge për korrupsion, ryshfet dhe pastrim të parave u kryen kontrolle në shumë pika dhe u sekuestruan 1.5 milion euro para, si dhe u arrestuan katër persona, përfshirë edhe Kaili-n.
– Kaili shkarkohet nga detyra
Në një votim të zhvilluar më 13 dhjetor në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së, që u mblodh në qytetin Strasbourg të Francës, u vendos për shkarkimin nga detyra të zv/presidentes Kaili, e cila u arrestua me akuzën për korrupsion.
Kaili doli para gjykatës për herë të parë më 22 dhjetor dhe pas seancës paraprake u vendos që afati i paraburgimit të zgjatej për një muaj./FolDrejt/