Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla morën pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Në hapje të takimeve, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, si një vend i ndërtuar mbi vlerat e Këshillit të Evropës, me një Kushtetutë që përfshin instrumentet më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, ka vend në Këshillin e Evropës.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës mundëson qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtave të Njeriut dhe mekanizma të tjerë mbrojtës të Këshillit të Evropës. Kjo e forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë pa dallim etnie. Qeverisja e mirë dhe progresi demokratik, të vlerësuara nga raportet e shumta ndërkombëtare, veçanërisht të sundimit të ligjit, i hapën rrugën anëtarësimit tonë në këtë organizatë”, tha Kurti.
Ai kujtoi se më 24 prill të këtij viti, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës vendosi në favor të kërkesës së Kosovës për anëtarësim, e cila përfundoi me sukses fazën e parë të atij procesi.
Kurti tha se tani procesi ka kaluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila do ta japë mendimin e saj dhe “mund të thuhet se faza thelbësore e procesit ka filluar”. Ai shtoi se kjo është arsyeja pse Grupi Koordinues do të luajë rol shumë të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm.
Shefja e diplomacisë kosovare, Gërvalla, ka falënderuar zëvendësin e saj Kreshnik Ahmetin, i cili do të menaxhojë edhe Grupin Koordinues, për lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në fazën e parë të procesit.
“Si vendi më demokratik në rajon, si një vend që është shembull i përfaqësimit të vlerave në të cilat bazohet Këshilli i Evropës, ne mendojmë se Kosova është dashur të jetë anëtare e Këshillit të Evropës nga dje, madje edhe tash e shumë vite më parë”, tha Gërvalla.
Pas prezantimeve hyrëse, Grupi Koordinues vazhdoi punën me dyer të mbyllura. Më 12 korrik të këtij viti kabineti qeveritar miratoi propozim/vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për themelimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Më 12 maj 2022, Kosova filloi procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës duke dorëzuar një aplikim në selinë e qendrore të këtij institucioni, në Strasburg.
Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi 2022 kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.