Vlerësimi dhe gjykimi i letërsisë në tërësi, gjithmonë është parë për lidhjet dhe relacionet e shumta ndërkulturore, të cilat i posedon dhe janë esenciale dhe identitare për vetë zhvillimin dhe komunikimin social e kulturor të saj.
Shkruan: Halim Halimi
Duke konsideruar se njeriu është produkt i influences, nga elemente multifaktoriale, eksternale e internale të cilat e përbëjnë mekanizmin funksional psikologjik të individit, është një logjikë të cilës mund të i interferohemi për ta zhvendosur dhe parë zhvillimin e këtij fenomeni brenda vetë letërsisë. Autori (krijuesi) i veprës letrare ka një formim psikoligjik, kulturor, social dhe intelektual dhe i gjithë ky proces etablues për identitetin e tij, në mënyrë të vetëdijëshme e të ndërdijshme reflektohet në veprën letrare.
Nga ky proces si zhvillim i problemit në mënyrë gjenerale bëjmë specifikën e gjykimit dhe vrojtimit karshi letërsisë, e cila zhvillon edhe disiplina të veçanta të cilat merren me studimin e letërsisë në forma krahasimtare (letërsia koparative), kjo si ide e vjetër në ekzistencën e saj që del edhe tek Arisoteli duke pohuar se; “për të parë diçka, shih diçka tjetër”. Madje edhe tek Elioti ku tradita konceptohet gjithmonë si një peshore në të cilën duhet të matet një vepër letrare në plane dhe dimensione të ndryshme estetike, semantike e formale.
Në këtë analizë janë paraqitur dy autorë interesantë për mënyrën e shkrimit, artikulimit e shprehjes të cilët kanë pikëtakime, ndikime të cilat japin një mundësi venerimi të funksioneve të tyre letrare për modifikimin dhe modelumin e botëve fiktive brenda tekstit poetik. Poezia e Migjenit dhe poezia e Eseninit janë referencat e analizës të cilat do diskutohen për aq sa mund të provohen për elementet përafruese brenda tekstit të tyre letrar.
1.Elementet biografike si impulse kreative. Metodat e reja të studimit dhe interpretimit të letërsisë kanë dhënë shenja të relativizimit të metodave t’i quajmë klasike të cilat jetën e autorit e shfrytëzonin për interpretimin e veprave të tyre, por jo çdoherë ndodh që teksti të jetë i pavarur nga autori, shpeshherë teksti kushtëzohet nga këto elememte biografike për studimin dhe interpretimin e saj. Migjeni dhe Esenini zhvillojnë veprimtarinë e tyre jetësore kryesisht gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Zhvillimet politike, sociale e kulturore determinuan procesin e formimit të tyre psikologjik e kulturor të cilën ata në mënyrën e tyre krijuese individuale e origjinale i reflektuan në suaza të tekstit që janë evidente si referenca të pastërta historike e biografike.
Fillimi i shekullit XX mund të cilësohet si vorbull e zhvillimeve të mëdha, luftërave botërore, ideologjive të mëdha si një përpjekje e zhbërjes së një realiteti dhe krijimin e një realiteti të ri jetësor të gjitha këto të përcjellura me një dramacitet dhe emocion të veçantë ku situata të tilla prodhuan edhe poetët më të mëdhenj që njeh historia e letërsisë. Esenin një poet me prejardhje ruse shumë aktual për kohën me poezitë e tij personale por të cilat zhvendosen në impersonale nga shenja nacionale për t’u bartur në shenja universale. Poezitë e Eseninit janë të modeluara me një mori elementesh të cilat lidhen me; revolucionin rus, figurat ikonike si ajo e Marksit dhe veprat e tij, mendësinë e kohës dhe organizimin e jetës shoqërore, koha e fëmijërisë duke evidentuar gjitha figurat e familjes dhe rrethit të cilat lanë gjurmë në jetën e tij, dashuria dhe konceptimi i saj qoftë si përjetim konkret qoftë si ndjesi universale e qenies, etiketat dhe pozicioni i Eseninit në shoqërinë e kohës, poezia dhe arti dhe shumëdimensionaliteti i tyre, pikëpamjet dhe zhvillimi i vetëdijes mbi letërsinë si eseu mbi imazhizmin. E gjitha kjo e përkufizon atmosferën krijimtarisë së Eseninit i cili duke i rikonfiguruar në semantikën e tekstit poetic, faktet historike e personale bën një kalim nga emocioni i dhimbjes në shkallën e emocionalitetit në vlerë artistike-estetike.
Pesmbëdhjetë kur i mbusha
U dashunova sa s’ka
Dhe ambël mendojsha
N’mbramje, pa u terrue,
Se si, me vajzën –
T’bukur sa kund s’â pá,
Kur t’rritem me u martue.
……………………………………..
Vjetët shkojshin.
Ato ia ndrruen fytyrën –
Një dritë tjetër
Tash mbi te ka ra.
Andrrues i katundit,
N’kryeqytet, me lyrën,…
Forca emocionale e përjetimit rrezaton një gjendje të trazuar të poetit i cili konceptohet si një qenie që mendohet në kërkim të vazhdueshëm për gjetjen e qetësisë shpirtore, e cila ka një kushtëzim të jashtëm si mungesa e dashurisë, dashuria e paarritshme, dashuria e humbur në relacione të përjetimit ndaj femrës por në zhvendosje të dashurisë ndaj familjes, rrethit e fëmijërisë si nostalgji e mungesë kënaqësie.
Migjeni si njëri ndër krijuesit më unik i letërsisë shqipe i cili kishte një ndikim dhe formim të letërsisë ruse e evropiane për nivelin stilistik, ideor e formal që janë të bartura në veprën poetike, në të cilën ai na shpalos një veçanti tematike, ideore, diskursive të frymës filozofike dhe sociale të kohës.
Poezinë e Migjenit e shquan një përmbajtje karakteristike me tema të konsideruara, tabu në nivel të qarkut të letërsisë, por edhe të mendësisë shoqërore të cilat në një formë ia kanë dhënë edhe meritat dhe vendin në zingjirin e historisë së letërsisë shqipe.
Temat rëndom të bartura në letërsinë shqipe ishin: incesti, prostitucioni, fati i lypsit, kryengritja ndaj dogmave religjioze-kanunore, nihilizmi, ateizmi të cilat bëjnë thyerjen e ritmit të letërsisë shqipe nga shkrimi tradicional.
Si ndjesi e përjetim poezia e Migjenit qëndron afër poezisë së Eseninit në pika të caktuara të motiveve substanciale, të poetikave të tyre fictive, të cilat përcjellen me një përjetim kulminant si dhimbje e dashurisë për jetën. Për Migjenin si edhe për Eseninin shoqëria dhe aktualiteti janë faktorë primar të kontaktit të tyre me botën si shpalim, shqyrtim dhe konsiderim i nevojave ekzistenciale, meditative e konceptuale të prodhimit njerëzor.
Instalimi i perspektivave dhe karakteristikave vrojtuese të tyre janë edhe çuditërisht të pa pranuara për mjedisin që jetojnë, duke u cilësuar si poetë skandaloz për trajtimin e tyre brenda shoqërisë. Pikat dhe toni realist i poezive si projektim në planin figurativ e semantik krijojnë pikëpjekje duke specifikuar një gjuhë denotative dhe reflektim të aktualitetit i cili për Eseninin jepet me poezinë “Skandalisti”, e për Migjenin “Kanga Skandaloze”. Jeta e autorit afirmohet ose penalizohet nga jeta e veprës. Për Eseninin reflekton ana tjetër e medaljes kur shkruan se:
“Miqësi me njerëz nuk më mbeti,
Kam një tjetër mbretëri të lirë…
Po këtu për qafën e çdo mbreti
Jap kravatën time më të mirë.
Dhe tani s’helmohem prej shafranit,
E pastrova mjegullin e shpirtit Ja,
pse kam lavdinë e sharlatanit,
Ja, pse kam lavdinë e skandalistit”.
Pushteti shtetëror i sistemit të menaxhimit, gjithmonë është pikë e lojës me ironinë dhe sarkazmën, duke paraqitur rolin e diferencën: individi me pushtetin si dhe pushteti me individin ku për gjenezën e problemit gjithmonë kërkohet një derivat që ka për bazë sistemin politik, i cili për poetët parashtrohet si kërkesë sistematike për ndryshim dhe reformim me ide novatore nē dobi të komunitetit dhe shoqërisë. Për Migjenin forca e rrjedhës vështirë mund të ndryshohet, ajo ngadhnjen veçse një dëshirë mes vargjesh e dhimbje mes zemrash;
“O, si nuk kam një grusht të forte
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij edhe ai se ç’domethanë i dobët-
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.”
2. Konceptimi dhe ballafaqimi i vetmisë para krizave individuale. Situatat tipike krijojnë gjendje tipike emocionale të cilat nëse përkthehen mjeshtërisht në art (poezi) mund të jenë tejet produktive dhe të mirërealizuara. Duke pasur parasysh faktin se: vetmia është elementi më i spikatur i qenies sonë, atëherë si duhet populluar kjo vetmi? Me poezi. Figura madhështore e melankolisë dhe e vetmisë së subjektit lirik te poezia e Eseninin hetohet ndjeshëm në ndikimin e drejtpërdrejtë te poezia e Migjenit, ku subjekti lirik përjeton kriza ekzistenciale nga elemente multifaktoriale, eksternale e internale të cilat reflektohen me tone të ndryshme kundrejt artikulimit emocional që manifestohet brenda qenies.
Rëndom motivet dhe situatat intencionale, me të cilat krijojnë lidhje këta dy poetë janë universale, por ngjyresat dhe nuancat e forta emocionale e personale krijojnë karakteristika, të cilat i specifikojmë si të tilla: e kaluara si reminishencë, nostalgji, naivitet e kënaqësi; sa herë që bartet në poezi në të dy poetët konoton për lidhjet e forta që kanë me të kaluarën dhe duke krijuar një paralelizëm figurativ të kësaj natyre e kaluara është frymëzim dhe ngushëllim i qenies në një realitet actual, i cili portretohet me një ftohtësi, degradim moral e pesimist me një delikatesë për veprimet dhe mendimet që vijnë si një transformim i vazhdueshëm.
Për Migjenin qenia e tij, sekuencat e kaluarës i përjeton si shkëndija të lumturisë të një qenie në vazhdën e rrënimit:
“Malli rinuer për jetë ma shkumbuese flen pa fat në mue, një tingull përndimi asht ngushllim për mue kur më mshtjell mashtrimi me melankolinë e vet aq trishtuese.”
Duke parë edhe më tej për Eseninin, rinia e tij ishte ajo që i dha trajtë jetës dhe atje nga vinte, ishte grixha të cilën nuk mund ta harronte asnjëherë;
“Në shtëpi time ka me ardhë, Me fat t’huej gjallë me mbetë, Nën dritare kam me u varë Mu për mangë, në muzg të zbetë.”
…shtëpia dhe vendlindja, malli për të kaluarën është gjithmonë një forcë magnetike që e tërheq qenien kah vetja dhe për t’u bërë një obsesion që reflektohet në krijimtarinë e tyre, duke u bërë një destinacion topik si një Itakë që duhet arrihet. Specifikimi i vetmisë si një element i spikatur dhe substancial për poezinë e Eseninit modifikohet si pika më kulminante, në të cilën emocioni e arrin stadin e vet dhe projektimi semantik del të jetë sa filozofik aq letrar e artistik. Indiferenca dhe meditimi mbi gjendjen e vetë poetit manifestohet si vetëdije letrare e qenies në kërkim të vetvetës, duke reflektuar potencialin kreativ të përshkrimit të emocionit;
“Ç’ka tore, si egërsi?
Nën cilindër jam.
Pranë meje – kurrkush fare.
Jam vetë…
Dhe t’pasqyrës copat – thërrmî…”
Figura më sublime e poezive të Eseninit lëviz në këtë pikë, nga vetmia, e cila e lind shkrimin, mendimin, dhimbjen, kujtimin, dashurinë dhe delikatesën e mendimit, kur e pranon o e refuzon besimin ndaj Zotit, shpresën e suksesit të revulucionit, meditimi mbi veprat e Marksit. Gjithçka nis nga vetja për Eseninin edhe kur vetmia bëhet e papërballueshme e trisht dhe e errët, ajo bëhet poezi dhe mendim kalimi dhe përkthimi i kësaj vetmie në poezi konceptohet si lehtësim e shfrim për qenien e cila prehjen e kërkon në mënyrë sistematike;
“Pi, gjoksi im,
Pranverë!
Dalldisu me vargje
T’reja!
Para gjumit, poeti s’don me ba poterë
Me gjela!
Vend, o vendi im!
Ti s’je metal’ i zi –
Pse metali
Farë nuk qet.
Mjafton nji fjali
M’e gjetë
Dhe me’iherë kuptohet –
“Kapitali”.
Diskursi poetik i Migjenit dhe modelimi i tekstit poetik si traditë shkrimi dhe mendimi është alla-Esenin në mjaft pika. Në reflektimin e spikatur të vetmisë Migjeni shembëllen duke i krijuar një hapësirë, në disa poezi, duke krijuar cikle të kësaj natyre, si në poezitë: “Vetmia”, “Vuejtja”, “Një natë pa gjumë” duke vënë në pah shpirtin e një idealisti të revoltuar në mënyrën e tij të të qenit;
“Ka do dit që po shof fare mirë se si nga vuejtja syt po më madhohen, nëpër ball dhe fytyrë rrudhat po më shtohen e si buzqeshja m’asht e hidhun… …dhe po ndij se si mëngjeset e mia nuk janë ma mëngjese hovi e pune, as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë e një jete që s’durohet.”
Një paraqitje maestrale e një transofrmimi dhe gjendjeje psikologjike të subjektit lirik, i cili si në një formë të monologut portreton përmasat e vuajtjes së tij. Esenini për Migjenin u bë autori model, nga i cili mësoi shumë teknika të shkrimit e përpos kësaj mësoi të ndjek rrugët e “shpëtimit” nga vetvetja duke u bërë poeti skandaloz dhe zëri që trumbetoi anët e errëta të qenies dhe shoqërisë./FolDrejt/