Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e shtatores së heroit, Xhavit Haziri.
Kryeministri në largim, Haradinaj tha se sot kësaj vatre të kulturës, dijes e artit po i shtohet edhe shtatorja e heroit Xhavit Haziri, dhe në këtë mënyrë po konfirmohet respekti për atdhetarët, çlirimtarët, liridashësit, për ata që kanë bërë shumë për lirinë tonë.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në largim Haradinaj, tha se nuk ka pasur rastin të bashkëveprojë dhe ta njoh fizikisht Xhavitin, por nga ajo që ka mësuar dhe që dihet, e bëjnë atë njeri të veçantë.
“Ai që në fillet e hershme të jetës së tij bashkë me veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare iu kushtua organizimeve ilegale të atëhershme që nuk pajtoheshin me pozicionin e padrejtë e diskriminues të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe kërkonin një pozicion të barabartë me Republikat tjera”, tha kryeministri në largim Haradinaj.
Duke folur për veprimtarinë e heroit Xhavit Haziri, kryeministri në largim Haradinaj, tha se ai rrugëtoi bashkë me Kosovën, bashkë me shqiptarët, bashkë me ndjenjën e shqiptarëve se rezistenca jonë duhet të arrijë kulmin e vet, të një rezistence të armatosur të luftës për liri.
“Për fat nuk iu mohua kjo mundësi dhe pas vuajtjes në burgje, veprimtarisë së vet, arriti të bëhet pjesë e luftës për liri. U ndal nga armiku ynë, ashtu siç ai di, në mënyrë të pabesishme, por asnjëherë nuk do të ndahet nga ne, nga populli i tij për të cilin u flijua dhe u sakrifikua. Lavdi e përjetshëm jetës dhe veprës së tij. Lavdi gjithë të rënëve për liri”, tha Haradinaj.
Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, tha se zbulimi i shtatores së heroit Xhavit Haziri përkon me shtatorin e shumë ngjarjeve në jetën e Xhavitit, atë të përvjetorit të lindjes së tij, por edhe kur atë e morën nga ne. “Zhdukja e tij la gjurmë të thella në zemrën e familjes dhe mbarë kombit shqiptarë. Jeta dhe vepra e Xhavitit dhe shumë dëshmorëve të tjerë që ranë për atdhe është dëshmi e gjallë e rrugës së gjatë dhe mundit për liri”, dhe kryetari Gashi, duke theksuar se heronjtë dhe dëshmorët e kombit tonë me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë, do të kujtohen të gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare e njerëzore.
Të pranishëm ishin përfaqësues të shumtë të institucioneve dhe bashkëpunëtorë të heroit Xhavit Haziri, ndërkaq nga një fjalë rasti mbajtën edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ndërsa në emër të bashkëveprimtarëve të tij foli, Ali Ahmeti.