Kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës(AAK) , Ramush Haradinaj, sot në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, u doli në mbrojtje gazetarëve , duke kërkuar mbrojtje dhe respekt për fjalën e lirë.
Sikurse personelin mjekësor, forcat e rendit dhe punëtorët e sektorëve vitalë të ekonomisë, edhe gazetarët ishin në vijat e para të frontit edhe në betejën për parandalimin dhe menaxhimin e Coronavirusit, duke iu ekspozuar rrezikut të infektimit, ka thënë Haradinaj, raporton EO.
Haradinaj tha se mbrojtja e gazetarëve dhe medies së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror, për të shprehur të drejtën e fjalës.
“Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, u vihemi në krah gazetarëve, duke kërkuar, nga të gjithë, mbrojtjen dhe respektimin e fjalës së lirë. Bashkë me personelin mjekësor, forcat e rendit dhe punëtorët e sektorëve vitalë të ekonomisë, gazetarët ishin në vijat e para të frontit edhe në betejën për parandalimin dhe menaxhimin e Covid-19, duke iu ekspozuar rrezikut të infektimit”, ka shkruar Haradinaj.
“Kercënimet, presionet e shantazhet ndaj medies së lirë, janë sulm ndaj demokracisë dhe do të pësojnë humbje kudo. Mbrojtja e gazetarëve dhe medies së lirë është ndër parimet e panegociueshme si pasqyrë e demokracisë dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”, ka theksuar Haradinaj.